View Static Version
Loading

Fuqizimi i qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor

Kjo faqe është gjithashtu e disponueshme në gjuhën angleze, gjermane, boshnjake-malazeze-serbe dhe maqedonase.

Në thelb të veprimtarive të GI-TOC-së në Ballkanin Perëndimor qëndron përfshirja e tij me OJQ-të, medien dhe akademinë. Këta janë partnerët kryesorë kur është fjala për mbledhjen e informacioneve dhe për hulumtimin e rreziqeve, por edhe për rritjen e vetëdijesimit lidhur me ndikimin që ka krimi i organizuar te komunitetet lokale dhe për fuqizimin e qëndrueshmërisë. Gjatë tri viteve të fundit, ne kemi punuar me shumë njerëz të guximshëm, të cilët janë në ballë të qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor dhe që janë role-model për komunitetet e tyre dhe më gjerë.

Mësoni më shumë për organizatat e shoqërisë civile që merren me krimin e organizuar në Ballkanin Perëndimor dhe për punën që bën GI-TOC-ja në drejtim të fuqizimit të qëndrueshmërisë.

Çfarë është qëndrueshmëria e komunitetit dhe pse është e nevojshme?

Krimi i organizuar përbën shqetësim të konsiderueshëm për shumë komunitete në gjithë Ballkanin Perëndimor, të cilat ekspozohen ndaj një numri të madh problematikash, duke përfshirë këtu korrupsionin, zhvatjen, trafikimin e drogës, kontrabandimin e emigrantëve, krimet mjedisore, pastrimin e parave dhe madje edhe sulmet kibernetike.

Ne e përkufizojmë "qëndrueshmërisë" si "aftësinë e komunitetit për të reaguar në mënyrë pozitive ndaj ndikimit të këtyre tipave dhe tipave të tjerë të krimit të organizuar dhe për të transformuar komunitetet në të ardhmen.

Veprimtaritë specifike që janë pjesë e këtyre nismave janë po aq të shumëllojshme sa edhe shqetësimet thelbësore. Në to përfshihen: mbështetja e viktimave, fushatat për parandalim, mbështetja e të rinjve në rrezik, seminaret praktike (uorkshopet) me komunitetin, ngritja e kapaciteteve, krijimi i rrjeteve, avokimi, ushtrimi i ndikimit te politikat publike dhe ndërprerja e dhunës përmes dialogut.

Historiku i angazhimit tonë për fuqizimin e qëndrueshmërisë në mbarë rajonin.

2018:

Themelimi i SEE-Obs-së dhe zhvillimi i veprimtarive të para në Ballkanin Perëndimor.

Qershor 2019:

Tryeza të rrumbullakëta me shoqërinë civile lidhur me vatrat e problemeve lokale dhe prirjet rajonale organizohen në të gjashtë kryeqytetet e vendeve të rajonit.

Shkurt 2020:

Fondi i Qëndrueshmërisë (Resilience Fund) nis veprimtaritë e tij në Ballkanin Perëndimor. Në vitin 2020, gjithsej 16 organizata të shoqërisë civile përfituan grante për të zbatuar projekte lokale.

Nëntor 2020:

Organizohen për herë të parë dialogët kombëtarë për qëndrueshmërinë në të gjashtë kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Në këto evenimente hibride, përfaqësues nga OJQ-të, media dhe akademia shkëmbyen përvojën dhe ekspertizën lidhur me prirjet aktuale të krimit të organizuar dhe diskutuan për sfidat me të cilat përballen organizatat e shoqërisë civile në adresimin e dobësive në luftën kundër krimit të organizuar.

Dhjetor 2020:

Organizohet përmes internetit dialogu rajonal për qëndrueshmërinë, për të forcuar lidhjet midis organizatave të shoqërisë civile që merren me krimin e organizuar dhe korrupsionin në mbarë rajonin dhe për t'u mundësuar atyre të mësojnë nga praktikat e mira dhe përvojat përkatëse që janë përdorur në pjesë të tjera të botës.

2021:

Fondi i Qëndrueshmërisë mbështet 14 projekte të reja të zbatuara nga organizatat lokale të shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor.

Mars 2021:

Publikimi i raportit "Së bashku jemi më të fortë: Forcimi i qëndresës së shoqërisë civile në vendet e Ballkanit Perëndimor". Në këtë eveniment mori pjesë edhe Dunja Mijatoviç, komisionere për të Drejtat e Njeriut, Këshilli i Evropës.

Shtator – dhjetor 2021:

Organizohen gjashtë evenimente për qëndrueshmërinë kombëtare me pjesëmarrës të pranishëm fizikisht. Kësaj radhe, fokusi ishte te ndërtimi i urave me qeverinë.

Dhjetor 2021:

Dialogu rajonal për ndërtimin e koalicioneve: një varg evenimentesh në internet për mbështetjen e shoqërisë civile në përpjekjen e saj për të gjetur partnerë të përshtatshëm në shoqërinë civile, qeveri dhe sektorin privat.

2022:

Nisja e serisë "Ballkani i Qëndrueshëm": 3 studime të shkurtra politikash mbi temën e gjinisë dhe krimit të organizuar, konfiskimit dhe ripërdorimit social të aseteve dhe fuqizimit të qëndrueshmërisë së të rinjve përballë krimit të organizuar.

Çfarë janë "dialogët për qëndrueshmërinë"?

"Dialogët për qëndrueshmërinë" janë një seri aktivitetesh komunitare, në të cilat ndahen njohuritë dhe përvoja ndërmjet aktorëve të shoqërisë civile, me qëllim përmirësimin e qëndrueshmërisë së tyre ndaj krimit të organizuar. Këta dialogë përbëjnë hapësira të sigurta ku të gjithë pjesëmarrësit shkëmbejnë ide dhe njohuri. Ata janë edhe një mundësi për të identifikuar fushat e përbashkëta të punës dhe për të krijuar një rrjet shkëmbimesh dhe mbështetjeje komunitare.

Në edicionin e parë, në nëntor të vitit 2020, në këto evenimente morën pjesë përfaqësuesit kryesorë të shoqërisë civile nga i gjithë vendi, për nxitjen e rrjetëzimit, bashkëpunimit, veprimit të përbashkët (kolektiv). Gjithashtu, këto evenimente ofrojnë mundësi për bashkëndarjen e përvojave, diskutimin e sfidave të përbashkëta dhe përforcimin e mbështetjes dhe ndihmës së ndërsjellë. Në të gjashtë evenimentet hibride morën pjesë mbi 110 përfaqësues nga media, akademia dhe OJQ-të.

Në vitin 2021, fokusi ka qenë specifikisht te ndërtimi i urave me qeverinë dhe te gjetja e pikave të përbashkëta fillestare në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar. Të gjitha diskutimet u zhvilluan duke respektuar rregullat e institutit kërkimor "Chatham House".

Raporti "Së bashku jemi më të fortë"

Ky raport është rezultat i dialogëve për qëndrueshmërinë, të mbajtur në vitin 2020. Në raport, krimi i organizuar në Ballkanin Perëndimor shihet nga pikëpamja e shoqërisë civile. Në raport jepet një pasqyrë e përgjithshme e mënyrave se si i trajtojnë organizatat e shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor problematikat që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe nënvizohen veprimtaritë dhe shqetësimet e tyre kryesore.

Gjetjet kryesore:

  1. Më pak se 1% e më shumë se 100 000 organizatave të shoqërisë civile të regjistruara në Ballkanin Perëndimor merren drejtpërdrejt me problematikat e krimit të organizuar ose korrupsionit.
  2. Secili komunitet ndjek një qasje të ndryshme për të luftuar kundër llojit të krimit të organizuar dhe korrupsionit që i prek ata. Megjithatë, në çdo rast, të suksesshme janë ato veprimtari që i përshtaten në mënyrë kreative komunitetit lokal dhe që e bëjnë komunitetin pjesë të të gjitha niveleve të procesit.
  3. Shoqëria civile organizon një gamë të gjerë veprimtarish për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në mbarë rajonin. Organizatat rinore, sipërmarrjet sociale, OSHC-të që ofrojnë shërbime dhe mediet lokale/organizatat kërkimore, kanë provuar se janë pika hyrjeje veçanërisht të suksesshme.
  4. Në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimi është i paktë dhe ka një mungesë të theksuar besimi midis shoqërisë civile dhe institucioneve qeveritare. Shoqëria civile duhet të gjejë një ekuilibër midis kritikës konstruktive ndaj qeverive për t'u kërkuar atyre llogari, dhe mbajtjes hapur të mundësive për t'u angazhuar me qeveritë me qëllim realizimin e ndryshimeve.

Seria "Ballkani i Qëndrueshëm"

Në këtë seri, vëmendje i kushtohet temave që përbëjnë interes të përbashkët për shoqërinë civile në Ballkanin Perëndimor, të cilat merren me problematikat që ndërlidhen me krimin e organizuar. Kjo seri u hartua për të shoqëruar raportin "Së bashku jemi më të fortë" dhe rekomandimet që jepen në të.

Në studimin "Gjinia dhe krimi i organizuar" shqyrtohet mënyra se si organizatat e shoqërisë civile i marrin parasysh aspektet gjinore në punën e tyre. Në këtë studim jepen edhe shembuj dhe studime rasti nga rajoni.

Në studimin "Rinia dhe krimi i organizuar" shqyrtohen me kujdes rreziqet dhe dobësitë që i shtyjnë të rinjtë drejt krimit të organizuar dhe analizohen mënyrat përmes të cilave shoqëria civile, që punon me të rinjtë ose drejtohet nga të rinjtë, përpiqet ta luftojë këtë dukuri.

Në studimin "Ripërdorimi social i aseteve" vlerësohet kuadri ligjor për konfiskimin e aseteve dhe ripërdorimin social në Ballkanin Perëndimor dhe vihen në dukje praktikat e mira. Gjithashtu, në këtë studim shpjegohen arsyet pse është shumë e rëndësishme që të konfiskohen fitimet e krimit dhe se si kthimi i aseteve të konfiskuara te shoqëria e ndihmon komunitetin të trajtojë krimin e organizuar.

Përfituesit tanë

Donatorët tanë:

Puna jonë në kuadër të qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor mbështetet me bujarinë e qeverisë së Gjermanisë, Holandës dhe Norvegjisë.

NextPrevious