View Static Version
Loading

Dialogët për qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor

Kjo faqe është gjithashtu e disponueshme në gjuhën angleze, gjermane, boshnjake-malazeze-serbe dhe maqedonase.

Çfarë janë "dialogët për qëndrueshmërinë"?

"Dialogët për qëndrueshmërinë" janë një seri aktivitetesh komunitare, në të cilat ndahen njohuritë dhe përvoja ndërmjet aktorëve të shoqërisë civile, me qëllim përmirësimin e qëndrueshmërisë së tyre ndaj krimit të organizuar. Këta dialogë përbëjnë hapësira të sigurta ku të gjithë pjesëmarrësit shkëmbejnë ide dhe njohuri. Ata janë edhe një mundësi për të identifikuar fushat e përbashkëta të punës dhe për të krijuar një rrjet shkëmbimesh dhe mbështetjeje komunitare.

Dialogët për qëndrueshmërinë janë pjesë e përpjekjeve të GI-TOC-së për të fuqizuar qëndrueshmërinë e shoqërisë civile ndaj krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor. Ata organizohen çdo vit edhe në nivel kombëtarë, edhe në nivel rajonal.

Pasqyrë e përgjithshme e "Dialogëve për qëndrueshmërinë 2020"

"Dialogët për qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor" u organizuan për herë të parë në nëntor të vitit 2020. Për shkak të pandemisë "KOVID", evenimentet u organizuan në format hibrid. Në to morën pjesë më shumë se 110 përfaqësues nga media lokale, akademia dhe OJQ-të.

"Dialogët për qëndrueshmërinë 2020" u organizuan për të arritur dy qëllime kryesore:

  1. Mbledhjen në një vend të aktorëve të qëndrueshmërisë në secilin shtet, për të kuptuar më mirë prirjet lokale dhe çështjet aktuale të krimit të organizuar dhe korrupsionit në komunitetet e tyre dhe reagimet e tyre.
  2. Identifikimin e fushave të përbashkëta të punës, për të krijuar rrjete për shkëmbime dhe mbështetje komunitare dhe për të vlerësuar nevojat për fuqizimin e qëndrueshmërisë së organizatave të shoqërisë civile që merren me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Në secilin prej gjashtë vendeve, pjesëmarrësit u përqendruan te sfidat dhe shqetësimet në nivelin lokal. Momentet më kryesore jepen të përmbledhura si më poshtë:

Tiranë, Shqipëri:

• Në Shqipëri, është e vështirë të bësh raportim objektiv. Përfaqësuesit e medies argumentojnë se shumë media janë të lidhura me parti politike, ndërkohë që vetë gazetarët vetëcensurohen.

• Ka pak bashkëpunim midis sektorit privat dhe OJQ-ve, ndërkohë që kompanitë që kërkojnë bashkëpunim drejtohen ose nga politikanë me ndikim, ose nga aktorë kriminalë, ndërsa kompanitë e tjera nuk kanë para për të mbështetur veprimtaritë e OSHC-ve.

• Sipërmarrjet sociale në Shqipëri vazhdojnë të jenë dukuri e rrallë, por ka disa shembuj të dukshëm bashkëpunimi me të rinjtë në gjithë vendin. Kjo mund të jetë një mundësi e çmuar për organizatat e shoqërisë civile që të krijojnë vetë fondet e tyre dhe të bëhen më të qëndrueshme në aspektin financiar.

Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë

• OSHC-ve e marrin pjesën më të madhe të informacioneve rreth krimit të organizuar dhe korrupsionit nga gazetat me tituj të bujshëm. Është i paktë informacioni objektiv lidhur me këtë temë, gjë që kontribuon që kjo dukuri të kuptohet në mënyrë të fragmentuar.

• Ekziston ndjenja/mirëkuptimi i përbashkët se duke punuar për sektorin e OSHC-ve në Bosnjë dhe Hercegovinë gjërat që mund të arrihen janë të pakta. Përfaqësuesit janë dakord me faktin që lidhjet politike janë thelbësore në shumë pjesë të punës së tyre.

Prishtinë, Kosovë

• Situata në veri të Kosovës ndryshon nga ajo në pjesën tjetër të vendit, si në aspektin e prirjeve të krimit të organizuar/korrupsionit, ashtu edhe në atë të angazhimit të shoqërisë civile. Për shembull, edhe pse shoqëria civile në veri të Kosovës i kishte në dispozicion fondet për t'u marrë me problematikat e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ajo që i pengon njerëzit të angazhohen në sektorin e OSHC-ve janë shqetësimet serioze lidhur me sigurinë.

• OSHC-të raportonin se, me përjashtim të korrupsionit, nuk kishin kapacitet për të hetuar aktivitetet financiare të paligjshme. Të tjerët raportonin se ishin lënë vetëm në luftën e tyre kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Podgoricë, Mal i Zi

• Gjatë viteve të fundit, OSHC-të kanë menduar se roli i tyre është t'i bëjnë opozitë qeverisë, meqenëse vetë opozita politike është e dobët. OJQ-të dhe media u ngazëllyen për shkak të zgjedhjeve të fundit dhe për ndryshime të mundshme. Edhe pse nuk presin që qeveria të zgjasë për shumë kohë, ato presin me padurim të përfitojnë nga hapësira e krijuar rishtas.

• Sektori i OSHC-ve duket se është tepër i polarizuar. Në vend që të krijojnë sinergji duke punuar së bashku, shumë aktorë të shoqërisë civile parapëlqejnë të punojnë në projektet/temat e tyre në mënyrë të pavarur/individuale.

• Njëra nga temat për të cilat duket se ka dakordësi në radhët e OSHC-ve është nevoja për qasje të lirë në informacion.

Shkup, Maqedoni e Veriut

• Korrupsioni duhet të adresohet edhe nga lart-poshtë (nga qeveria), edhe nga poshtë-lartë (nëpërmjet presionit nga publiku). Është e rëndësishme të fillohet duke adresuar korrupsionin e përditshëm nëpër zyra publike, spitale etj., dhe duke hedhur dritë mbi kundërvajtjet e politikanëve të korruptuar.

• Problematikat e krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të sillen më pranë komunitetit: ndikimi i tyre duhet shpjeguar në mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme.

• OSHC-të u shprehën se nuk pranojnë të vendosin logon e donatorëve ndërkombëtarë në projektet/uebsajtet e tyre, sepse kanë frikë se mos donatori nuk do t'i mbështesë me institucionet lokale.

Beograd, Serbi

• Para disa vitesh, komuniteti i donatorëve priste që OSHC-të me seli në Beograd të angazhoheshin më shumë me organizatat-bazë, çka nënkuptonte se OJQ-të e mëdha do të shndërroheshin në minidonatorë. Kjo i ndryshoi marrëdhëniet midis OSHC-ve të mëdha dhe të vogla dhe e bëri bashkëpunimin "kërkesë nga donatori" dhe jo partneritet.

• Disa OSHC nuk mund të mos punojnë me qeverinë dhe të mos aplikojnë për fonde publike. Megjithatë, vetëm pak organizata kanë arritur të marrin mbështetje, duke qenë se qeveria duket se financon kryesisht OJQ-të që pasqyrojnë pikëpamjet e saj.

Rezultati i dialogut: Raporti "Së bashku jemi më të fortë"

Ky raport është rezultat i dialogëve për qëndrueshmërinë, të mbajtur në vitin 2020. Në raport, krimi i organizuar në Ballkanin Perëndimor shihet nga pikëpamja e shoqërisë civile. Në raport jepet një pasqyrë e përgjithshme e mënyrave se si i trajtojnë organizatat e shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor problematikat që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, dhe nënvizohen veprimtaritë dhe shqetësimet e tyre kryesore.

Pasqyrë e përgjithshme e "Dialogëve për qëndrueshmërinë 2021": përqendrohuni te ndërtimi i urave me qeverinë.

"Dialogët për qëndrueshmërinë" u organizuan nga shtatori deri në dhjetor të vitit 2021 në formën e takimeve me pjesëmarrës të pranishëm fizikisht, në të gjashtë kryeqytetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Secili eveniment përbënte një hapësirë ku shoqëria civile mund të krijonte lidhje, shkëmbente përvoja dhe të diskutonte problematikat dhe prirjet aktuale të ndërlidhura me krimin e organizuar dhe korrupsionin në rajon.

Pse është e rëndësishme të ndërtojmë ura me qeverinë? Dhe cilat janë sfidat aktuale për bashkëpunimin?

Ballkani Perëndimor është një mjedis që paraqet vështirësi për punën e organizatave të shoqërisë civile, sidomos kur marrim parasysh që hapësira për OJQ-të dhe medien e pavarur është duke u tkurrur. OSHC-të janë subjekt i fushatave të shpifjeve, presionit dhe madje edhe kërcënimit nga një numër aktorësh.

Duket se të dy palëve u mungon thelbësisht besimi te pala tjetër. Disa organizata të shoqërisë civile e shohin qeverinë si problem, ndërsa OJQ-të shihen si tradhtare të qeverisë dhe shoqërisë.

Megjithatë, ekziston njëfarë shkalle bashkëpunimi midis shoqërisë civile dhe strukturave të qeverisë vendore dhe qendrore në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Të shumtë janë ata që e shohin bashkëpunimin me institucionet shtetërore si të nevojshëm për të çuar përpara nismat e tyre.

Kjo është arsyeja pse këtë vit dialogu për qëndrueshmërinë u përqendrua te ndërtimi i urave me qeverinë. Pjesëmarrësit, jo vetëm që diskutuan për sfidat aktuale, por edhe shkëmbyen ide lidhur me pikat e përbashkëta të hyrjes në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe lidhur me hapat që duhen hedhur në të ardhmen.

Të gjitha diskutimet u zhvilluan në përputhje me rregullat e institutit kërkimor "Chatham House", por jeni të ftuar të dëgjoni se ç'thonë disa prej pjesëmarrësve në dialog:

NextPrevious